Nafta vijon rritjen – Ndikon Irani dhe rënia e rezervave në SHBA
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje edhe në sesionin e sotëm, duke u tregtuar pranë nivelit më të lartë për këtë vit, për shkak të rënies së rezervave të naftës në SHBA dhe pritshmërive për uljen e furnizimit nga Irani. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 78.8 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga maji i këtij viti, kur çmimet kaluan kufirin e 80 dollarëve.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 69.6 dollarë për fuçi. Analistët mendojnë se, tregu i naftës po gjen mbështetje nga disa faktorë dhe deri në fund të vitit tendenca mund të jetë në rritje të mëtejshme. Referuar të dhënave jo zyrtare të Institutit Amerikan të Naftës, rezervat e naftës bruto në SHBA ranë me 8.6 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 7 shtator, në totalin e 395.9 milionë fuçive.
Në anën tjetër, Administrata për Informimin mbi Energjinë uli parashikimin e saj për rritjen e prodhimit gjatë vitit 2019. Investitorët vijojnë të jenë të fokusuar tek impakti i sanksioneve amerikane ndaj Iranit, që kanë si objektiv edhe eksportet e naftës nga ky vend.
Por, ministri rus i Energjisë, Alexander Novak, paralajmëroi për sanksionet e SHBA ndaj Iranit. Sipas tij, ka paqartësi të mëdha në treg, sidomos se si do të veprojnë vendet që blejnë rreth 2 milionë fuçi të ditë naftë iraniane. Novak shtoi se, tregjet globale të naftës janë të brishta, për shkak të tensioneve gjeopolitike.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.