Nafta zgjeron fitimet / Bençmarkët tregtohen pranë nivelit më të lartë në 3 vitet e fundit

Nafta është ngjitur sërish në mbi 75 dollarë për fuçi, në sesionin e sotëm dhe po qëndron pranë nivelit më të lartë në 3 vitet e fundit. Megjithatë, investitorët po tregohen të kujdesshëm, në pritje të takimit të OPEC dhe aleatëve të tjerë, që takohen më vonë gjatë ditës së sotme. Nafta Brent e Londrës po tregtohet pranë 76 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në mbi 75 dollarë për fuçi. Bençmarku amerikan i naftës ka fituar rreth 50% të vlerës gjatë këtij viti, pasi e nisi 2021 në rreth 48 dollarë për fuçi. Kërkesa për naftë është rritur ndjeshëm, pasi gjithmonë e më shumë njerëz po lëvizin me makinat e tyre, pas rihapjes së ekonomive. Gjatë ditës së sotme zhvillohet takimi kyç i OPEC+, dhe organizata ka qenë pozitive mbi kushtet e tregut. Për këtë arsye, analistët parashikojnë se karteli do të vendosë një rritje tjetër të prodhimit me 500 mijë fuçi në ditë, duke filluar nga gushti. Për sa i përket të ardhmes, Bank of America parashikon se nafta mund të rritet pranë 100 dollarëve për fuçi, për shkak të rimëkëmbjes së shpejtë të kërkesës.
Lidion Kulla – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.