Nafta zgjeron fitimet – Investitorët vendosin baste për çmime më të larta
Çmimet e naftës po qendrojnë në rritje edhe në sesionin e sotëm dhe po tregtohen pranë nivelit më të lartë që nga viti 2015. Spekulatorët kanë vendosur baste për rritje të mëtejshme të çmimeve, për shkak të marrëveshjes së OPEC dhe Rusisë për uljen e prodhimit dhe rënies së aktivitetit të shpim-kërkimit në SHBA.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 62.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 68.1 dollarë për fuçi. Javën e kaluar, nafta Brent preku nivelin më të lartë që nga mesi i vitit 2015, prej 68.27 dollarë për fuçi.
Tregtarët shprehen se, çmimet po mbështeten nga bastet spekulative të investitorëve, për shkak të pritshmërive se, OPEC, Rusia dhe nëntë vende të tjera prodhuese do të respektojnë marrëveshjen për uljen e prodhimit me 1.8 milionë fuçi në ditë, deri në fund të këtij viti.
Gjithashtu, rënia e aktivitetit të shpim-kërkimit në SHBA ka mbështetur naftën Bruto amerikane.
Që nga fillimi i dhjetorit të vitit të kaluar, çmimet e naftës janë rritur me rreth 10%. Për këtë arsye analistët paralajmërojnë për një rënie të çmimeve, pasi kjo rritje nuk është e arsyetuar.
Ndërkohë, në Azi, që është rajoni më i madh konsumator në botë, ka pasur gjithashtu shenja për rënie të prodhimit të naftës bruto.
Duke përfituar nga marzhi i lartë i fitimit, rafineritë aziatike kanë prodhuar naftë në një nivel rekord, prej 23 milionë fuçi në ditë, që nga tetori i kaluar.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.