Nafta zgjeron fitimet – Mbështetet nga rritja e çmimeve të gazit dhe qymyrit

Nafta po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, pasi rritja e çmimeve të gazit natyror, energjisë elektrike dhe qymyrit po vazhdon në të gjithë botën. Njëkohësisht, edhe rënia e temperaturave në Kinë ka rikthyer shqetësimet se, konsumatori më i madh i energjisë në botë nuk do të mundet të plotësojnë kërkesën për ngrohje.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 85 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë këtij muaji ka fituar rreth 7% të vlerës. Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 83.5 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë tetorit është rritur me rreth 10%. Me temperaturat në rënie ndërsa po afron stina e dimrit, kërkesa për ngrohje po rritet, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës, gazit natyror dhe qymyrit dhe sipas analistëve tendenca do të vijojë të jetë e tillë. Kontratat “futures” për qymyrin në Kinë u rritën me 7.8% të martën.
Analistët shprehen se, rritja e çmimeve të energjisë do të dëmtojë edhe rimëkëmbjen e ekonomisë globale. Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë, u rrit me vetëm 4.9%, hapi më i ngadaltë i zgjerimit në 1 vit. Megjithatë, një kufizim në rritjen e çmimeve po e jep rritja e prodhimit të naftës në Shtetet e Bashkuara dhe sipas Administratës për Informimin mbi Energjinë prodhimi do të rritet edhe më tej në muajt në vijim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.