Nafta zgjeron fitimet – OPEC+ po shikon mundësinë për ta përjashtuar Rusinë!

Nafta po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, pasi liderët e Bashkimit Europian arritën një marrëveshje për të ndaluar importet nga Rusia. Edhe rihapja e provincave kryesore në Kinë, duke filluar nga dita e sotme ka mbështetur çmimet. Kontratat e naftës Brent të Londrës për gushtin po tregtohen në rreth 117 dollarë për fuçi.
Ndërsa kontratat e muajit korrik, që skaduar të martën e mbyllën tregtinë në 122.8 dollarë për fuçi, duke u rritur me rreth 1%. Nafta bruto amerikane po tregtohet në rreth 115 dollarë për fuçi.
Të dy bençmarkët e mbyllën majin në rritje, duke publikuar fitime për të gjashtin muaj me radhë. Liderët e Bashkimit Europian ranë dakord në parim për të ndaluar rreth 90% të importeve të naftës nga Rusia deri në fund të këtij viti, sanksionet më të rënda të bllokut që kur Moska filloi pushtimin e Ukrainës, tre muaj më parë.
Në Kinë, ndërkohë, karantina për Shanghain përfundoi ditën e sotme pas dy muajsh në izolim, që përkthehet në një rritje të kërkesës për naftë. Në anën tjetër, fitimet po kufizohen nga lajmet se disa vende po diskutojnë idenë e përjashtimit të Rusisë nga OPEC+.
Nëse një lëvizje e tillë do të finalizohet, atëherë vendet e tjera mund të rrisin prodhimin. Në Shtetet e Bashkuara, prodhimi i naftës u rrit me më shumë se 3% gjatë marsit, njoftoi Agjencia për Informimin mbi Energjinë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.