Nafta zgjeron humbjet – Analistët vazhdojnë të tërheqin fitimet

Çmimet e naftës zgjeruan humbjet edhe në sesionin e sotëm, për shkak se investitorët vazhduan të tërheqin fitimet e realizuara gjatë dy javëve të fundit. Por, tensionet në Lindjen e Mesme kanë kufizuar humbjet. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 56.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane tregtohet në rreth 50.8 dollarë për fuçi.
Eksportet e naftës nga rajoni i Kurdistanit në Irak, drejt portit turk të Ceyhanit, kanë rënë në rreth 216 mijë fuçi në ditë nga 600 mijë fuçi, që ishte kapaciteti përpara fillimit të luftimeve mes forcave irakiane të sigurisë dhe rebelëve kurdë.
Trupat irakiane rimorën kontrollin e fushave kryesore naftëmbajtëse në rajonin e Kirkukut, ndërsa ministria e naftës në Bagdad parashikon se, furnizimi me naftë do të rifillojë së shpejti. Kompania më e madhe ruse e naftës, Rosneft, ra dakord të marrë përsipër kontrollin e fushës kryesore naftëmbajtëse në Kurdistan, me një investim prej rreth 1.8 miliard dollarë.
Pavarësisht humbjeve, analistët shprehen se, tregu po shkon drejt balancimit dhe shumë shpejt mund të shohim një tendencë në rritje të çmimeve. Për sa i përket të dhënave të tjera, rezervat tregtare të naftës bruto në SHBA kanë rënë me rreth 15%, në 456.5 milionë fuçi, krahasuar me nivelin rekord të regjistruar në mars të këtij viti.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.