Nafta zgjeron humbjet – Forcimi i dollarit kompenson rënien e rezervave
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie edhe në sesionin e sotëm, për shkak të forcimit të dollarit amerikan, që ka eklipsuar edhe rënien surprizë të rezervave të naftës në SHBA.
Nafta brent e Londrës po tregtohet në rreth 65.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 61.3 dollarë për fuçi.
Dollari amerikan u rrit në nivelin më të lartë në 1 javë, përballë shportës me monedhat kryesore ndërkombëtare, pas publikimit të procesverbalit të takimit të fundit të Rezervës Federale, që tregoi se politikëbërësit janë më besimplotë për rritjen e normave të interesit.
Me forcimin e dollarit amerikan, çmimet e naftës kanë rënë me rreth 10%, që kur prekën nivelin më të lartë disavjeçar në janar. Instituti amerikan i naftës raportoi një rënie surprizë të rezervave të naftës bruto, me 907 mijë fuçi, në totalin e 420.3 milionë fuçive, gjatë javës që u mbyll më 16 shkurt.
Zakonisht, rezervat e naftës rriten në këtë periudhë të vitit, pasi shumë rafineri ulin prodhimin për shkak të riparimeve.
Analistët shprehen se tregu i naftës është i furnizuar mirë, për shkak të rritjes së kërkesës dhe uljes së prodhimit me 1.8 milionë fuçi në ditë nga Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe Rusisë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.