Nafta zgjeron humbjet – Rënia e rezervave në SHBA kufizon rënien
Çmimet e naftës po qëndrojnë në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, por megjithatë po tregtohen pranë nivelit më të lartë në 2 vite e gjysëm. Që nga fillimi i dhjetorit, nafta Brent e Londrës ka fituar rreth 10% të vlerës, e mbështetur nga tensionet politike në Iran dhe nga ulja e prodhimit nga OPEC dhe Rusia.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 61.4 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 67.5 dollarë për fuçi. Tregtarët shprehen se, pavarësisht rënies, humbjet po kufizohen nga protestat e dhunshme në Iran, që është një prodhues i rëndësishëm i OPEC. Gjithashtu, një mbështetje graduale për naftën po e ofron marrëveshja për uljen e prodhimit me 1.8 milionë fuçi në ditë, nga OPEC, Rusia dhe nëntë vende të tjera prodhuese.
Kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2017 dhe përfundon në fund të këtij viti dhe ndikoi në rënien e rezervave të naftës në SHBA me 7.4 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 29 dhjetor, në totalin e 424.46 milionë fuçive.
Megjithatë, analistët parashikojnë se, prodhimi në SHBA do të rritet mbi 10 milionë fuçi në ditë, gjatë këtij viti, një nivel i përafërt me Rusinë dhe Arabinë Saudite, dy prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.