Nafta zgjeron humbjet – Rritja e rezervave në SHBA, presion mbi çmimet
Nafta po qëndron në rënie edhe në sesionin e sotëm, duke zgjeruar humbjet e një dite më parë, për shkak të rritjes së rezervave në SHBA dhe dobësimit të kërkesës nga rafineritë.
Nafta Brent e Londrës, që është bençmark global për çmimet e naftës, po tregtohet në rreth 70.6 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 61 dollarë për fuçi. Në sesionin e kaluar, ndërkohë, çmimet ranë me rreth 2%. Analistët shprehen se rritja e rezervave të naftës në SHBA dhe rënia e kërkesës nga rafineritë mund të sugjerojë se çmimet mund të përballen me presion të mëtejshëm.
Referuar të dhënave zyrtare nga Administrata për Informimin mbi Energjinë, rezervat e naftës u rritën me 4.7 milionë fuçi, gjatë javës së kaluar, duke prekur nivelin më të lartë që nga korriku i vitit 2017, për shkak të kërkesës së dobët. Gjithashtu, edhe prodhimi në SHBA u rrit me 100 mijë fuçi në ditë, në totalin e 12.2 milionë fuçive, shumë pranë rekordit prej 12.3 milionë fuçi në ditë, të regjistruar muajin e kaluar.
Në anën tjetër, humbjet po kufizohen nga përshkallëzimi i tensionit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit dhe nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë. Kjo marrëveshje skadon në fund të qershorit, por Arabia Saudite ka sinjalizuar se do të kërkojë një shtyrje, mbase deri në fund të vitit. Sipas bankës, BNP Paribas rrija e rezervave të naftës mund ta bindë OPEC për të shtyrë marrëveshjen për uljen e prodhimit.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.