Ndahet OSHEE në 3 kompani! Çipa në “Argument”: Këtë javë ndahet në furnizim, tregtim dhe shpërndarje

Këtë javë ministria e Energjisë deklaroi se do të realizohet ndarja përfundimtare e kompanisë OSHEE në tre kompani të tjera të dedikuara. Këshilltarja e Ministrit, Entela Çipa, ka folur për emisionin “Argument” ku ka shpjeguar pse ky zhvillim po ndodh pikërisht tani.
“OSHEE e listuar, qytetarët aksionerë, një ide e re?
Është një ide e re dhe sigurisht vjen në vazhdë të reformave të sektorit të energjisë pas ndarjes së kompanive dhe strukturimit të tyre. Sepse mund të them se po avancojmë me procesin e ndarjes. Kompania OSHEE zotëronte rrjetin e shpërndarjes dhe aktivitetin e shpërndarjes, pra furnizimin. Ndërkohë që brenda kësaj jave, këto ditë, kompania OSHEE po ndahet, po regjistrohet në QKR. Për rrjetin e shpërndarjes, për tregtimin, si kompani të veçanta, pra tre kompani të reja”, tha Çipa.
Me ndarjen e kompanisë, Çipa thekson se bëhet më e lehtë dhe listimi i njërës nga këto kompani në bursë për t’i kthyer qytetarët në aksionerë të saj. Deklaratë e cila erdhi fillimisht nga kryeministri Rama në prezantimin e strategjisë së energjisë për Shqipërinë 2030.
“Është ndarja ligjore dhe në kuadër të të gjithë këtij procesi sigurisht që do të vinte më pas edhe ofrimi sepse bënte të mundur që të gjitha këto procese të transformimit, të strukturimit të kompanive, t’i japin mundësi kompanisë së shpërndarjes të përmirësohet dhe për t’i bërë qytetarët më të interesuar për të rritur nivelin e përgjegjshmërisë që ata kanë ndaj pagesave dhe ndaj kostos së ofrimit të shërbimit që kryen kjo kompani”, u shpreh këshilltarja e Ministrit të Energjisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.