Ndalimi i emigrantëve – Mali i Zi merr masa, gardh me tela në kufirin me Shqipërinë
Mali i Zi, duke parë rritjen e numrit të emigrantëve të paligjshëm që kalojnë përmes vendit drejt Bashkimit Europian, po konsideron ndërtimin e një gardhi me tela në kufirin me Shqipërinë për të frenuar kalimin e tyre.
Mijëra emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut po arrijnë në vendet më të pasura evropiane, pasi kontrabandistët kanë krijuar një korridor të ri në Ballkan duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnje Hercegovinës për të mbërritur në Kroacisë.
“Në rastin e një fluksi më të madh të emigrantëve, ne mund të ngremë një gardh me tela në kufirin me Shqipërinë”, tha Vojislav Dragovic, kreu i departamentit të Malit të Zi për mbikëqyrjen e kufirit shtetëror.
Ai shtoi më tej se autoritetet shqiptare shpesh kishin refuzuar të pranonin emigrantët që u kthyen nga Mali i Zi bazuar në marrëveshjen dypalëshe të ripranimit, raporton ‘Reuters.’
Shumë vende kanë siguruar kufijtë e tyre me barriera fizike për zmbrapsjen e emigrantëve. Kështu, Hungaria vendosi një gardh me tela në kufijtë e saj me Serbinë dhe Kroacinë gjatë krizës në 2015, kur më shumë se 1 milionë emigrantë erdhën në Evropë.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.