“Ndalimi i gazit rus, një shantazh” – Kryeministri i Bullgarisë akuzon Gazprom se ka shkelur kontratën!
Paralajmërimi i Rusisë se po i mbyllte furnizimet me gaz Bullgarisë për shkak të kërkesave për të ndryshuar skemën e pagesave është një shkelje e rëndë e një kontrate aktuale dhe përbën shantazh, tha të mërkurën kryeministri bullgar, Kiril Petkov.
Petkov tha se Bullgaria po rishikonte aktualisht të gjitha kontratat e saj me Gazprom, duke përfshirë tranzitin e gazit rus në Serbi dhe Hungari, sepse “shantazhi i njëanshëm nuk ishte i pranueshëm”.
Petkov ka biseduar me Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen, e cila e kishte siguruar atë se blloku 27-anëtarësh do të kishte një përgjigje të përbashkët.
Nga ana tjetër, ministri i Energjisë, Aleksandër Nikolov, tha se Bullgaria ka paguar furnizimin me gazin rus për prillin dhe Gazprom do të shkelë kontratën aktuale nëse ndalon rrjedhën.
“Për shkak se po respektohen të gjitha detyrimet tregtare dhe ligjore, është e qartë se për momentin gazi natyror po përdoret më shumë si armë politike dhe ekonomike në luftën aktuale”, tha Nikolov.
Vendi ballkanik plotëson më shumë se 90% të nevojave të tij për gaz me furnizime nga Rusia sipas një kontrate afatgjatë që skadon në fund të këtij viti. Nikolov tha se dërgesat e gazit për konsumatorët ishin ende të garantuara për të paktën një muaj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.