Ndalohen drekat e Vitit të Ri për Institucionet shtetërore – Vendimi, Drejtoritë e Thesarit do bllokojnë ekzekutimin e pagesave

“Jo më procedura prokurimi për drekat dhe darkat festive”. Agjencia e Prokurimit Publik dhe Ministria e Financave kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve kontraktore që të mos shpallin procedura të tilla prokurimi.
Vendimi shkon edhe më tej, ku në njoftim theksohet se Drejtoritë e Thesarit do të bllokojnë ekzekutimin e pagesave për objekte të tilla prokurimi.
“Agjencia e Prokurimit Publik (në vijim “APP”) ka konstatuar se, kohët e fundit autoritetet kontraktore kanë shpallur dhe zhvilluar në Sistemin e Prokurimit Elektronik procedura prokurimi me vlerë të vogël, të cilat kanë si objekt dreka apo darka festive. Nisur nga qëllimi i ligjit nr. 9643/2006 “Për Prokurimin Publik”, por edhe i Ligjit nr. 10296/2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, të cilët synojnë mirëpërdorim të fondeve publike, APP dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë tërheq vëmendjen e autoriteteve kontraktore që të mos shpallin procedura të tilla prokurimi.
Gjithashtu, bëjmë me dije se Drejtoritë e Thesarit do të bllokojnë ekzekutimin e pagesave për objekte të tilla prokurimi”, thuhet në njoftimin e MFE dhe APP.
Në Agjencinë e Prokurimit Publik ka me dhjetëra procedura të hapura me një vlerë mesatare prej 400 mijë lekë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.