“Ndalohet” paraja cash – 36 mijë biznese duhet t’u drejtohen bankave
Iniciativa ligjore e Ministrisë së Financave që ka si qëllim reduktimin e ekonomisë informale dhe përdorimin e parasë fizike nga bizneset dhe organizatat jofitimprurëse është depozituar për tu diskutuar në komisionet parlamentare, për ti hapur rrugë zbatimit.
Ndryshime në ligjin për procedurat tatimore, që adresojnë rekomandimet e Komitetit Moneyval, dhe detyrojnë të gjithë tatimpaguesit, persona fizikë/juridikë, përfshirë edhe organizatat jofitimprurëse për të pasur llogari bankare biznesi. Sipas Ministrisë së Financave, iniciativa prek rreth 36 mijë biznese, pasi parashikohet që mos të jenë subjekte të këtij detyrimi tatimpaguesit, persona fizikë tregtarë të cilët realizojnë qarkullim vjetor, rrjedhimisht edhe qarkullim të parasë fizike, nën vlerën 2 milionë lekë në vit.
Drafti parashikon afate për përmbushjen e këtij detyrimi, ku për subjektet që regjistrohen rishtazi është 20 ditë, dhe për ato që janë të regjistruara, duhet të hapin llogari bankare jo më vonë se 90 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit. Në rastet e mospërmbushjes së këtij detyrimi nga ana e tatimpaguesve, parashikohen masa administrative nga 50-100 mijë lekë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.