Ndalohet peshkimi në Liqenin e Shkodrës! – Urdhri i Ministrisë/ Kufizimet nga muaji Prill deri në fund të Qershorit

Periudha mars – maj është koha gjatë së cilës peshku bën lëshimin e vezëve, sidomos në Liqenin e Shkodrës, i cili është ujëmbledhësi më i madh në Ballkan. Për këtë arsye, me qëllim ruajtjen e biodiversitetit, Ministria e Bujqësisë ka urdhëruar ndalimin e peshkimit në Liqenin e Shkodrës.
Sipas urdhrit të botuar në Fletoren Zyrtare, ndalohet peshkimi me çfarëdolloj mjeti dhe metode gjuetie, si dhe mbajtja në bord, tranzitimi në barkë, zbarkimi i qëllimtë dhe hedhjen në treg ose për konsum të të gjitha llojeve të peshqve në liqenin e Shkodrës, nga data 1.4.2022 deri më 31.5.2022, me përjashtim të ngjalës e cila lejohet të peshkohet vetëm me grepa nga subjektet e pajisura me leje peshkimi nga Organizata e Menaxhimit të Peshkimit të liqenit të Shkodrës, siç është parashikuar në Planin e Menaxhimit të Ngjalës.
Për periudhën dymujore të lejimit të peshkimit të ngjalës, nga ana e Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës do të ketë monitorim të sasive ditore të peshkuara. Ndërkaq, specifikisht është urdhëruar edhe ndalimi i gjuhcës (cironkës) në liqenin e Shkodrës, për periudhën 1.4.2022 deri më 31.7.2022.
Po ashtu, për periudhën 1.6.2022 deri më 30.6.2022, do të jetë i ndaluar peshkimit me rrjeta në fashën bregliqenore prej 300 m nga bregu. Çdo shkelje e këtij urdhri përkthehet në masa administrative. Ministria e Bujqësisë ka ngarkuar Organizatën e Menaxhimit të Peshkimit të Liqenit të Shkodrës të marrë të gjitha masat e zhvendosjes së objekteve ku peshqit kanë lëshuar vezët, në rastet e rënies së nivelit të ujit në liqenin e Shkodrës.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.