Ndalohet shitja e MoneyGram – Qeveria e Shteteve të Bashkuara refuzon ofertën e “Ant Financial”
Një panel i qeverisë së Shteteve të Bashkuara ka refuzuar blerjen e kompanisë së transfertave të parasë MoneyGram nga firma kineze Ant Financial, prej shqetësimeve në lidhje me sigurinë kombëtare.
Kjo sjell prishjen e marrëveshjes më të rëndësishme nga një kompani kineze, nën administratën e Donald Trump.
Kolapsi i dakordësisë prej 1.2 miliard dollarë, përfaqëson edhe një goditje për kreun e Alibaba, Jack Ma, që zotëron Ant Financial.
Ai synonte zgjerimin e firmës së pagesave, përballë rivalitetit me gjigantin tjetër kinez Tencent Holding. Jack Ma, një person që shfaqet shpesh në publik me elitën e partisë komuniste, i ka premtuar Donald Trump se do të krijonte 1 milionë vende pune në Shtetet e Bashkuara.
Në historik, kompania që blihet, pëson rritje në vlerë tregu, në momentin e publikimit të marrëveshjes. Me lajmërimin e fundit, aksionet e MoneyGram ranë me 8.5% në $12.06.
Kompanitë vendosën t’i japin fund marrëveshjes, ndërkohë që Komisioni i Investimeve të Huaja në SHBA (CFIUS), refuzoi propozimin për të zbutur shqetësimet në lidhje me sigurinë e të dhënave që përdoren për identifikimin e qytetarëve amerikanë.
“Pavarësisht përpjekjeve tona më të mira për të bashkëpunuar me qeverinë amerikane, është bërë e qartë që nuk do të miratohet blerja”, deklaroi kreu ekzekutiv i MoneyGram, Alex Holmes.
Një vlerësim i Komisionit të Investimeve të Huaja zgjat deri në 75 ditë dhe kompanitë i kanë hyrë këtij procesi 3 herë për të adresuar shqetësimet.
Qeveria amerikane ka ashpërsuar qëndrimin mbi shitjet e kompanive ndaj subjekteve kineze, në një kohë që Trump po përpiqet ti shtojë presion Kinës në mënyrë që të trajtojë ambiciet e Koresë së Veriut.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.