Ndërhyrje të tjera në rrugën e Rinasit, Balluku: Për të eliminuar rrezikshmërinë e kryqëzimeve!

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka kryer një inspektim në aksin rrugor kthesa e Kasharit – Aeroporti i Rinasit ku ka paralajmëruar se do të ketë ndërhyrje të tjera për të shmangur rrezikshmërinë e lartë që paraqesin kryqëzimet e këtij aksi.
“Ne duhet të gjejmë zgjidhje për komunitetin, duhet të rrisim sigurinë rrugore. Ky është synimi jonë. Duhet të zbatojmë Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Rrugore dhe absolutisht, si gjithmonë, qytetarët janë të parët dhe gjithçka që ata e shfaqin si problem, ne duhet të tregojmë reagim të menjëhershëm”, ka theksuar Balluku, duke kërkuar ndihmë nga ARRSH dhe kompania e mirëmbajtjes së kësaj rruge.
E shoqëruar nga drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato, përfaqësues të firmës që mirëmban këtë rrugë dhe banorët e zonës, ministrja është ndalur në njërin nga kryqëzimet me më shumë ngarkesë dhe që ka regjistruar shpesh herë aksidente të rënda, i njohur ndryshe dhe si kryqëzimi i Bërxullit.
“Sot kam ardhur në rrugën që lidh kthesën e Kasharit me aeroportin internacional të Rinasit, për shkak se kjo është një rrugë, që siç duket edhe në këto momente, ka një frekuencë të lartë të automjeteve. Por nga ana tjetër është një rrugë e cila fatkeqësisht ka dhe një numër shumë të lartë aksidentesh”, është shprehur ministrja Balluku.
Drejtoresha e ARRSH, Sonila Qato theksoi se gjatë vitit 2018 ka pasur një vëmendje të shtuar në eliminimin e pikave të zeza në akset rrugore kombëtare, vëmendje e cila do të shtohet gjatë këtij viti. Ndësa ministrja Balluku është zotuar se ndërhyrjet përmirësuese në këtë aks shumë të rëndësishëm, do të jenë të dukshme menjëherë në ditët në vazhdim dhe para fillimit të sezonit veror do të kemi një zgjidhje të sigurtë dhe të qëndrueshme për tre udhëkryqet e rrugës Qafa e Kasharit – Aeroport.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.