Ndërsa Dollari po fluturon i nxitur nga lufta, Paundi egjiptian zhvlerësohet në ritme të ‘pazakonta’!
Paundi egjiptian u zhvlerësua me 10.67% të hënën pas javësh presioni mbi monedhën pasi investitorët e huaj nxorrën miliarda dollarë nga tregjet e thesarit pas pushtimit rus të Ukrainës.
Paundi ra në 17,42-17,52 kundrejt dollarit, treguan të dhënat e Refinitiv, pasi ishte tregtuar me rreth 15,7 paund për dollar që nga nëntori 2020.
Banka qendrore e vendit rriti gjithashtu normat e interesit njëditore me 100 pikë bazë në një takim të papritur të politikës monetare më herët të hënën.
Egjipti ka qenë në diskutime me Fondin Monetar Ndërkombëtar për ndihmën e mundshme, kanë thënë njerëz të afërt me negociatat, por nuk ka njoftuar ndonjë kërkesë zyrtare.
Portet egjiptiane ishin bllokuar me mallra pasi importuesit nuk mund të merrnin dollarët që u nevojiteshin për letrat e kreditit për t’i zhdoganuar ato, thanë bankierët.
Lufta në Ukrainë e ka bërë Egjiptin të përballet me kosto më të larta për nevojat e tij të konsiderueshme të importit të grurit, si dhe me një humbje të të ardhurave nga turizmi nga vizitorët rusë dhe ukrainas në vendpushimet e Detit të Kuq.
Rusia dhe Ukraina janë furnizuesit kryesorë të grurit të Egjiptit. Egjipti vendosi të hënën çmimin e bukës së pa subvencionuar në 11.5 paund egjiptian (0.66 dollarë) për kilogram, sipas një deklarate nga zyra e kryeministrit Moustafa Madbouly.
Banque Misr në pronësi të shtetit njoftoi të hënën se po ofronte certifikata depozitash me yield prej 18%. Investitorët e huaj kanë tërhequr miliarda dollarë nga tregu i parasë i Egjiptit që kur trupat ruse hynë në Ukrainë. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.