Ndërtesat, me klas energjie – Berberi: Jo shitje dhe dhënie me qira, pa certifikatën e performancës
Çdokush që do të shesë apo do të japë me qira një banesë duhet të pajiset me certifikatën e performancës së energjisë. Së fundi, Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që i hap rrugë këtij procesi, ndërkohë që kreu i Agjencisë së Eficencës së Energjisë, Evis Berberi thotë për TV SCAN se ky detyrim do të kërkohet gjatë kryerjes së procedurave noteriale.
Në momentin që ti bën një akt shitje nuk mund ta regjistrosh në hipotekë pa patur certifikatën e performancës së energjisë, nuk mund të bësh një akt noterial qiradhënie pa patur këtë certikatë. Po ashtu edhe për rikonstruksionet dhe ndëryrjet që bëhen të përcaktuara sipas VKM-së.
Berberi thotë se po punohet edhe për tarifat që do të aplikohen për kryerjen e një auditimi energjetik, që është i nevojshëm për pajisjen me këtë certifikatë.
Ne po punojmë që të vendosim disa tarifa rregulluese për tregun. Përshembull, nëse do të kemi një apartament deri në 100 m2, që do të bëjë auditmit energjetik dhe do të pajiset me certifikatën e performancës së energjisë, që lëshohet një herë në 10 vjet, minimalisht do të paguajnë një tarifë prej 30 mijë lekësh. Më pas, duke parë rritjen e sipërfaqeve do të ketë disa tarifa rregulluese, por që janë më poshtë se tregu i rajonit.
I njëjti vendim parashikon se ndërtimet e reja në vendin tonë duhet të jenë eficiente nga pikëpamja energjetike, duke garantuar nivelet optimale të konsumit për një përdorim tipik të ndërtesës. Sipas dokumentit, kompanitë e ndërtimit në momentin që aplikojnë për leje ndërtimi duhet të paraqesin edhe certifikatën paraprake për performancën e energjisë, të lëshuar nga Audituesi Energjetik i Certifikuar, së bashku me “Deklaratën e përgjegjësisë profesionale”.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.