Ndërtim hotelesh pa leje – Arrestohen 2 inspektor të IVMT dhe 6 shtetas në Elbasan
Policia e shtetit njofton se në vijim të operacionit policor të koduar Llixha, si rezultat i kontrollit të territorit për evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: D. Z., 28 vjeç dhe A. Z. 34 vjeç, me detyrë inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan, të dyshuar për veprën penale ”Shpërdorimi i detyrës“ si dhe I. Ç., 33 vjeç, Xh. P., 23 vjeç, K. Gj., 35 vjeç, A. D., 39 vjeç, Sh. V., 35 vjeç dhe K. M., 21 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” ndërsa gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi T. P., 64 vjeç, banues në Kuqan, Elbasan, pronar i një hoteli në Llixha, Elbasan, i dyshuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Sipas njoftimit gjatë hetimeve të kryera për një ndërtim pa leje me sipërfaqe rreth 5000 metër katror në zonën e Llixhave, Njësia Administrative Tregan, Elbasan, në pronësi të shtetasit T. P., është dyshuar për korrupsion nga punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit që mbulojnë qarkun Elbasan, duke favorizuar një ndërtim pa leje.
Policia informon se nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi T. P. ka ndërtuar një kompleks me sipërfaqe të madhe, në një zonë të mbrojtur, pa lejen e organeve kompetente ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna nga strukturat hetimore të DVP Elbasan, për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.