Ndërtim pa leje në zonën e llixhave Elbasan – Arrestohet në flagrancë kryeinspektori i IVMT
Policia e Shtetit njofton se në vijim të punës për kontrollin e territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Elbasan u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: M. Q., 38 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë ish-kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Elbasan dhe N. K., 50 vjeç, banues në Elbasan, i cili ndërtonte pa leje si dhe gjithashtu u procedua penalisht shtetasi A. Z., 34 vjeç, banues në Elbasan, me detyrë inspektor në Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes të Territorit, bashkia Elbasan.
Sipas njoftimit nga hetimet e kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik–Financiar në DVP Elbasan, në lidhje me një ndërtim pa leje në sipërfaqe të madhe ndërtimore në zonën e llixhave, Njësia Administrative Tregan, Elbasan, është dyshuar për korrupsion nga punonjësit e institucioneve shtetërore, kryesisht të Inspektorateve të Mbrojtjes së Territorit që mbulojnë qarkun Elbasan.
Policia informon se në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me këtë rast ka rezultuar se në muajin janar dhe shkurt 2021 të jetë bërë ndërtim pa leje me sipërfaqe 1200 m katror, në dy kate, nga shtetasi N. K., në vendin e quajtur “Llixha”, dhe në vijim të jetë aplikuar për legalizim tek AKSH.
Sipas njoftimit po nga hetimet dyshohet se me veprimet apo mosveprimet e tyre, shtetasit M. Q. dhe A. Z., të kenë favorizuar këtë shtetas për të kryer ndërtimin pa leje ndërkohë po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.