Ndërtimet e reja: Numri i lejeve u rrit me 15% në tremujorin II
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri i lejeve të ndërtimit u rrit përsëri në tremujorin e dytë të këtij viti. Gjatë tre muajve u dhanë 310 leje ndërtimi, në rritje me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në gjysmën e parë të vitit në Shqipëri janë dhënë gjithsej 555 leje ndërtimi, 13% më shumë krahasuar me 6-mujorin e parë 2018. Për të katërtin vit radhazi, numri i lejeve të ndërtimit po rritet me ritme të shpejta.
Shpjegimi mund të gjendet në përmirësimin e tregut të pasurive të paluajtshme në qytetet kryesore të vendit, ku kërkesa për banesa ngelet e lartë. Ulja e normave të interesit të kredive në nivelet më të ulëta historike ka nxitur shumë familje të blejnë një shtëpi të tyre. Në total, portofoli i kredisë për blerje banesash nga sistemi bankar në mesin e këtij viti kishte vlerën e 113 miliardë lekëve ose rreth 925 milionë eurove. Një hipotezë tjetër është se shtrëngimi i masave për të kontrolluar burimin e parave që depozitohen në banka mund të ketë bërë që shumë prej të ardhurave nga aktivitetet e jashtëligjshme të investohen në aktivitetin e ndërtimit.
Megjithatë, rritja e lejeve nuk është e lidhur vetëm me ndërtimet rezidenciale. Sipas Instat, këto ndërtime përbënin rreth 62% të numrit të përgjithshëm të lejeve për tremujorin e dytë, ndërsa pjesa e mbetur ishin leje për ndërtesa tregtare dhe industriale. Në vitet e fundit, rritja e numrit të turistëve po nxit investime të shumta në hotele dhe struktura akomoduese. Vetëm në dy vitet e fundit, janë dhënë gjithsej 114 leje ndërtimi për hotele të reja. Këto investime po mbështeten edhe me incentive fiskale, për hotelet elitare me katër dhe pesë yje. Duke parë numrin e lejeve, një rritje e ndjeshme vërehet edhe në investimet e bizneseve në pasuri të paluajtshme për qëllime te aktivitetit të tyre. Edhe për bizneset, normat e ulëta të interesit kanë qenë një faktor nxitës në kryerjen e investimeve të reja.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.