Ndërtimet shtetërore informale – KLSH: Porti Vlorë, 6 kontrata punimesh pa leje, shkelje me tenderat
Ndërsa lufta ndaj ndërtimeve pa leje ka qenë vitet e fundit një prej prioriteteve të Qeverisë, janë institucionet shtetërore që vijojnë të shkelin legjislacionin. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Portin e Vlorës vitin e shkuar ka zbardhur 6 kontrata të kryera nga administrata e tij pa aplikuar për leje ndërtimi. Pa leje ndërtimi janë kryer punimet për zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, rikonstruksioni i zyrave të Portit të Himarës, të ofiçinave e reparteve, e deri te linja e furnizimit me ujë të Portit Vlorë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar 13 nga 14 tenderat me vlera të mëdha të kryera dy vitet e fundit nga Porti Vlorë, duke konstatuar mangësi te secili prej tyre.
Ndërkohë që problematik mbetet fakti që në të gjitha rastet titullari i autoritetit kontraktor nuk ka urdhëruar ngritjen e komisionit për monitorimin e zbatimit të kontratave. Nuk ka raporte mbi monitorimin e zbatimit të kontratës sipas specifikimeve teknike, sasitë, shërbimet e kryera, thekson në raportin përfundimtar Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.