Ndërtimi ende në vështirësi – 9 kompani në likuidim gjatë gjysmës së parë të vitit 2017
Ndërsa të dhënat zyrtare flasin për përmirësim të sektorit të ndërtimit, si nga volumi i prodhimit dhe për atë të shitjeve, duket se kompanitë e kësaj industrie vazhdojnë të ndihen në vështirësi. Të paktën 9 kompani ndërtimi kanë nisur procedurat e likuidimit për vitin 2017.
Televizioni SCAN ka zbardhur kërkesat e kompanive për zbatimin e procedurës së likuidimit apo të prishjes së tyre. Secilës prej kompanive i është caktuar nga ana e autoriteteve një likuidator shtetëror, i cili ka shpallur edhe ftesat për pretendime nga ana e kreditorëve të mundshëm.
Sipas treguesve zyrtarë, ndërtimi është një prej sektorëve me rritjen më të qëndrueshme gjatë dy viteve të fundit. Për tremujorin e parë të këtij viti, INSTAT bëri me dije se indeksi i shitjeve neto në volum për sektorin e ndërtimit u rrit 13,6 %, krahasuar me tremujorin e parë 2016. Krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rritje me 1,3 %.
Ndërkaq indeksi i prodhimit për tre muajt e parë të këtij viti, në volum u rrit 24,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, krahasuar me tremujorin paraardhës, ky tregues i përshtatur sezonalisht shënoi rritje 3,6 %.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.