Ndërtimi i Rrugës “Danish Jukniu” – Veliaj: Sauku dhe Qyteti Studenti po kthehen në poliqendrat e Tiranës
Bashkia e Tiranës ka nisur një investim të ri në zonën e Saukut, ndërtimin e Rr. “Danish Jukniu”. Gjatë inspektimit të punimeve kreu i bashkisë Erion Veliaj vlerësoi ritmin me të cilin ato po ecin, ndërsa bëri të ditur se projekti për ndërtimin e kësaj rruge do të përfundojë brenda afatit të caktuar.
“Po maksimizojmë kohën në muajt e verës, që të punojmë teksa njerëzit janë me pushime, kështu do të kemi pak tollovi këto javë deri sa të kemi mbaruar punimet në pjesën më të madhe të rrugës. Mandej, sigurisht që do të vazhdojmë gjatë vjeshtës me asfaltin, me sinjalistikën, me ndriçimin, për t’u siguruar që edhe kjo lagje e Saukut të jetë gjithashtu pjesë integrale e Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku.
Veliaj theksoi se këto investime shkojnë në harmoni me vizionin e Bashkisë së Tiranës, që e gjithë zona nga Qyteti Studenti deri në Sauk të kthehet në një nga polet e Tiranës së ardhshme, e pajisur së pari me infrastrukturën e duhur urbane.
“Vizioni ynë është që e gjithë zona e Qytetit të Studentit, përfshi Saukun, Farkën, të jetë një nga poliqendrat e Tiranës. Duhet ta pranojmë se njerëzit nuk jetojnë gjithë ditën te Pazari i Ri apo te sheshi Skënderbej, por ata jetojnë në komunitet e tyre. Ndaj është e rëndësishme që me të njëjtën cilësi që kemi punuar në qendër të Tiranës, të punojmë në nivel kapilar edhe në këto komunitete”, tha Veliaj.
Projekti i rrugës “Danish Jukniu” parashikon që përveç punimeve në trupin e rrugës, të realizohen të gjitha kanalizimet, shtrirja e linjave rezervë të telefonisë e shërbimeve të tjera. Gjithashtu, rruga do të pajiset me ndriçimin e nevojshëm dhe gjelbërim.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.