Ndërtimi i shkollës së re profesionale të IT-së – Shpallet fituesi! Fotot dhe detajet e projektit

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka shpallur fituesit e tenderit për ndërtimin e shkollës profesionale të IT-së në Tiranë. Në garë ishin 8 ofertues por oferta fituese ishte ajo e “Ante Group” me një vlerë të përgjithshme prej 249 milion e 742 mijë lekë.
Shkolla profesionale e IT, do të pozicionohet në oborrin e shkollës ekzistuese ‘Karl Gega.’ Në dokumentet e shpallura të tenderit, shkolla pritet të ketë një kapacitet prej 1000 nxënës të ciklit të mesëm profesional në degën e informatikës. Po ashtu, parashikohet që godina të ketë 36 klasa me nga 32 nxënës, 10 laboratorë me 30 nxënës pajisur me kompjuter për secilin. Terrenet sportive të shkollës ekzistuese do të spostohen në pjesën lindore dhe do të shfrytëzohen për të dy shkollat, ndërsa sipërfaqja e mbetur është projektuar të trajtohet me hapësira të gjelbra dhe kënde rekreacioni.
Nga detajet e projektit, në katin përdhe janë projektuar 12 klasa mësimi, 4 laboratorë, një ambient për gazetën e shkollës, etj. Në katin e parë, parashikohet të ndërtohen 10 klasa mësimi, kurse në të dytin janë projektuar 14 klasa dhe 4 laboratorë.
Ndërkohë, rreth 370m2 e tarracës do të shfrytëzohet për ambientet e bibliotekës dhe arkivit të shkollës, të cilat mund të përdoren për aktivitete e seminare të ndryshme. Grafiku i punimeve përfshin gjithashtu edhe ndërhyrje të tjera, si vendosjen e dyerve e dritareve, instalimin e rrjetit elektrik, si dhe trajtim të ambienteve të brendshme dhe të fasadave, etj. Sa i takon kohëzgjatjes së kontratës, dokumentat specifikojnë një periudhë kohore prej 12 muaj nga nënshkrimi i saj.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.