Ndërtimi i stadiumit kombëtar – Veliaj: Synimi ynë, kthimi i zonës në pedonale

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj premton ndërtimin e infrastrukturës ndihmëse, siç është parkimi nëntokësor pranë stadiumit të ri kombëtar.
Gjatë një takimi me banorët e njësisë numër 2 në kryeqytet Kreu i bashkisë u shpreh se investimi i radhës do të jetë në njësinë nr 2 për ta kthyer atë zonë në pedonale.
“Te sheshi ‘Italia’ do të kemi një tjetër parking nëntokësor. Duke qenë se po ndërtohet stadiumi, kemi nevojë për më shumë hapësira nëntokë. Në vend që ta zëmë piacën me makina, po ndërtojmë dy kate parkim nëntokë, që sheshi “Italia” t’i rikthehet publikut për ta aksesuar të gjithë hapësirën përreth stadiumit “Qemal Stafa”, i cili ju premtoj, jo vetëm do jetë një stadium cilësor, por plani i bashkisë është që e gjithë hapësira rreth stadiumit të ketë 7 ditë në javë aktivitete, për t’i dhënë edhe atij komuniteti aty një hapësirë pedonale”, tha Veliaj.
Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka siguruar se institucioni që ai drejton do t’u shërbejë qytetarëve pa dallime politike edhe në dy vitet e ardhshme. Kryebashkiaku, teksa bëri një analize të punës dy vjeçare të institucionit që ai drejton, theksoi se qytetarët dhe Tirana janë primarë, përtej politikës.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.