“Ndërtimi i llixhave, muzeve dhe rrugëve”, këto janë projektet e qeverisë për Dibrën – FSHZH tregon afatet: Kur do përfundojnë akset prioritare

Pas prezantimit të projekteve infrastrukturore në qarkun e Dibrës, gjatë mbledhjes së qeverisë së zhvilluar javën e kaluar, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka dhënë edhe afatin e përfundimit të projekteve tashmë të nisura.
Në një postim në rrjetet sociale, FSHZH shkruan: “ Unaza e Re e Peshkopisë dhe rruga Kastriot – Arras janë dy kantieret në qarkun e Dibrës, në të cilat Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punon aktualisht në kuadër të projektit për Rehabilitimin e Akseve Rrugore Prioritare. Shumë shpejt do të përgjysmohet distanca fizike dhe kohore mes banorëve të 20 fshatrave të njësive administrative Arras dhe Fushë Cidhen dhe Peshkopisë.
Rruga Kastriot – Arras, 6 km pritet të përfundojë në pranverë dhe do të vlejë edhe për qarkullimin e mjeteve drejt Parkut Kombëtar të Lurës. Unaza e Re e Peshkopisë, 3.5 kilometra do të shmangë qarkullimin brenda qytetit të mjeteve të tonazhit të rëndë. Projekti parashikon edhe një urë 20 metra, si dhe sistemimi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe ujërave të bardha e ndërtimi i trotuareve me ndriçim”, shkruan FSHZH.
Ndërkohë nga ana e tij, kryeministri Rama ka prezantuar edhe disa projekte të reja që pritet të ndërtohen në qarkun e Dibrës. Përveç rrugëve që po ndërtohen nga FSHZH, në listë do të jenë projekti për muzeun e Skënderbeut në Kastriot, si dhe projektoi për “Llixhat”.
“Besojmë se rindërtimi i Muzeut të Skënderbeut do te jetë një pikë shumë e rëndësishme turistike që do të ketë shumë vlera. Kam biseduar edhe me kreun e bashkisë dhe do të bëjmë të mundur projektin për llixhat. Ato kanë filluar të ribëhen një adresë interesi për shumë persona. Projekti i rindërtimit të llixhave do t’i shërbejë ekonomisë”, tha kryeministri Rama.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.