Ndërtuesit në Gjykatën e Lartë – Pastrimi i parave, të paktën 15 kompani kërkojnë shfuqizimin e gjobave

Shoqëritë e ndërtimit rezultojnë ndër subjektet më të penalizuara për mosrespektim të procedurave të raportimit të rasteve të dyshimta për pastrim parash.
Të paktën 15 kompani ndërtimi i janë drejtuar Gjykatës së Lartë për të kundërshtuar gjobat e vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Mes tyre gjenden edhe disa prej kompanive më me peshë në vend.
Televizioni Scan ka zbardhur paditë e ngritura nga shoqëritë e ndërtimit për gjobat që arrijnë në miliona lekë. Pjesa më e madhe e kompanive i kanë kërkuar Gjykatës shfuqizimin e plotë të gjobave të vendosura nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave.
Sektori I ndërtimit është një prej më të ekspozuarve kur vjen fjala te pastrimi i parave. Jo vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, por edhe Policia e Prokuroria e janë shprehur se një pjesë e mirë e parave të ardhura nga krimi kanalizohen në ndërtimin e hoteleve e resorteve turistike.
Plot 184 raste të dyshimta për pastrim parash kanë raportuar përgjatë vitit 2016 institucionet shtetërore.
Të dhënat zyrtare tregojnë se Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme raportoi 134 raste gjatë vitit të kaluar duke treguar edhe një herë trendin që ka pasur ndër vite investimi i parave që vijnë nga aktivitetet kriminale.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.