Ndeshja me Italinë, arbëreshët e Horës në Palermo nesër takim me delegacionin shqiptar

Dita e premte, si dita e ndeshjes së skuadrës Kombëtare të futbollit me përfaqësuesen italiane e vlefshme për eliminatoret e Botërorit, Federata Shqiptare e Futbollit ka planifikuar për të zhvilluar dy evente të rëndësishme, ku spikat edhe një takim me arbëreshët e Horës në Bashkinë e tyre, pikërisht të premten e datës 24 mars, në orën 10:00.
Nga Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë një delegacion i gjerë për të pritur arbëreshët e Horës, përfshirë këtu edhe një përfaqësues nga TKZ (Tifozët Kuqezi).
Ndërkohë, kanë konfirmuar prezencën e tyre në këtë takim edhe ish-kapiteni i skuadrës kombëtare të futbollit Lorik Cana, si dhe portieri i skuadrës përfaqësuese, Etrit Berisha.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në këtë takim do të jetë i shoqëruar nga dy zv.presidentët Nuri e Libohova, nga sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku, ku do t’i dorëzojë këtij komuniteti edhe një “Pllakatë Falenderimi dhe Mirënjohjeje” për kontributin e Bashkisë së Horës dhe Arbëreshëve për ruajtjen e gjuhës dhe traditave, prej qindra vitesh.
Anëtarët e Fan Clubit “Tifozët e Kombëtares” nesër, në ditën zyrtare të eliminatore mes Italisë dhe Shqipërisë do të jenë edhe ata përballë kolegëve të tyre në Palermo, në një sfidë miqësore!
Ky event do të realizohet më datë 24 Mars 2017, në ora 15:00 në “Centro Universitario Sportivo CUS Palermo”. Kjo ndeshje është planifikuar kohë më parë, si rrjedhojë e organizimit të përbashkët me Federatën Italiane të Futbollit, në mirëfunksionimin e përbashkët të të dy Fan Clubeve.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.