Ndihen lëkundjet e “krizës” gjermane – Zinxhirët e furnizimit e përcjellin tek Europa Qendrore
Ngadalësimi i ekonomisë gjermane, që është partneri më i madh tregtar për vendet e Europës Qendrore, po nis të përhapet në vendet fqinje. Ri integrimi i ekonomive të Europës Qendrore me Gjermaninë ka qenë një nga faktorët kryesor të rritjes së shpejtë ekonomike të rajonit në 3 dekadat e fundit.
Prodhuesit e makinave, bankat dhe kompani të tjera gjermane, në përpjekje për të shfrytëzuar fuqinë punëtore relativisht të lirë, kanë krijuar mijëra fabrika dhe zyra në Europën Qendrore. Për rrjedhojë, katërshja e përbërë nga Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, dërgojnë 20-30% të eksporteve drejt Gjermanisë.
Ndërsa këto regjistruan një normë të fortë të rritjes ekonomike në 2018, liderët e bizneseve thonë se ngadalësimi i ekonomisë më të madhe të Europës po përhapet nëpërmjet zinxhirëve të furnizimit. Analistët thonë se duhen disa tremujorë që ngadalësimi i ekonomisë gjermane të ndihet në Europën Qendrore dhe Lindore dhe liderët e industrisë kanë nisur ta ndiejnë këtë.
Industria e makinave ka qenë prej kohësh një zinxhir i lidhjes ekonomike mes Gjermanisë dhe Europës Qendrore. Në 30 vitet e fundit, kompani si Volkswagen, Audi, Daimler dhe BMW, kanë ngritur rrjete të fabrikave në rajon.
Megjithatë, ndërkohë që prodhuesit e makinave po përballen me probleme nga lufta tregtare, Brexit dhe zhvillimet teknologjike, analistët paralajmërojnë se sektori do jetë një nga përcjellësit kryesor të krizës gjermane drejt qendrës dhe lindjes.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.