Ndihma “mollë sherri”, Kospiri: Janë përjashtuar 20 mijë abuzues. Rritet masa e përfitimit për 15 mijë
Skema e re e përfitimit të ndihmës ekonomike është në qendër të debateve për përjashtimin që ju është bërë rreth 20 mijë familjeve në nevojë. Por sipas zëvendës ministres së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale Bardhylka Kospiri, 20 mijë të përjashtuarit janë abuzues të skemës.
Kospiri në një intervistë për RTV SCAN theksin e vë tek mundësia që ju është dhënë rreth 18 mijë aplikuesve për herë të parë të cilët nuk përfitonin nga kriteret përjashtuese. Ndërkohë që për 15 mijë përfitues të ndihmës ekonomike është rritur masa financiare.
Reforma në shpërndarjen e ndihmës ekonomike ka si qëllim që familjet përfituese të mos jenë afat gjatë por pas një periudhe pesë vjeçare të kenë mundësi integrimi në tregun e punës.
Çdo person i interesuar për ndihmën ekonomike mund të aplikojë online nga data 1 – 10 të çdo muaj.
Për persona të cilët nuk shpallen fitues herën e parë por pretendojnë se e meritojnë ndihmën ekonomike mund të riaplikojnë, ndërkohë që çdo rast që është përjashtuar do të verifikohet nga inspektorët në terren.
Një tjetër mundësi për ndihmë ekonomike është fondi prej 6% që ju është caktuar bashkive të cilat i shpallin përfituesit e ndihmës ekonomike në bazë të kritereve të tyre.
Ndërkohë që opozita vijon të akuzojë qeverinë se të përjashtuarit nga ndihma ekonomike janë familje në nevojë. Për ndihmën ekonomike pritet që të mbahet një interpelancë më 15 mars në Kuvend.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.