Ndihma shtetërore, MZHETTS: Përfundon fushata e trajnimeve me përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (MZHETTS), me mbështetjen e projektit të “Asistenca teknike për zhvillimin e legjislacionit të ri të ndihmës shtetërore” IPA 2014 Action Programme: “European Union Integration Facility”, ka përfunduar fushatën e trajnimeve me përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit në fushën e ndihmës shtetërore, fushatë e cila nisi që në tetor të vitit 2016.
Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar në total 40 trajnime, 24 prej të cilave janë fokusuar në trajnimin e nëpunësve të pushtetit lokal. Në një njoftim të MZHETTS thuhet trajnimet u zhvilluan në disa bashki të vendit.
“Trajnimet e zhvilluara në Bashkinë Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Lezhë, Lushnjë, Kavajë, Kamëz, Vorë, Gjirokastër, Korçë, Pogradec, Tepelenë, Përmet, Himarë, Sarandë, Divjakë, Berat, Skrapar, Gramsh, Fier, Vlorë, me temë “Kuptimi dhe parimet kryesore të kontrollit të ndihmës shtetërore” kanë pasur si qëllim kryesor të përmirësojë dhe forcojë kapacitetet institucionale të nëpunësve, pjesë e autoriteteve shtetërore lokale që janë dhënës së ndihmës shtetërore për të kuptuar dhe zbatuar rregullat specifike të ndihmës shtetërore, përfshirë pasojat e moszbatimit, si dhe procedurat ligjore që duhet të ndjekin për të marrë vlerësimin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore për çdo veprimtari që sjell implikime të ndihmës shtetërore”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, trajnime të dedikuara me tema specifike janë zhvilluar me qeverisjen qendrore si në Ministrinë e Financave, Energjisë dhe Industrisë, Mjedisit, Arsimit dhe Sportit, Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, të cilët janë njohur me rregullat e ndihmës shtetërore që zbatohen, lidhur me lehtësirat fiskale, energjinë, mbrojtjen e mjedisit, ndihmën rajonale, ndihmën për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme etj.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.