Ndihmë nga “BB” për borxhin – Qeveria përfshihet në programin e menaxhimit të riskut
Departamenti i thesarit i Bankës Botërore njoftoi se Shqipëria i është bashkuar programit të institucionit për menaxhimin e riskut dhe borxhin qeveritar. Kjo është një iniciativë e institucionit me mbështetjen financiare të sekretariatit zviceran të shtetit për çështjet ekonomike.
Programi i jep asistencë vendeve me të ardhura të mesme për të përmirësuar menaxhimin makroekonomik dhe atë fiskal, nëpërmjet uljes së vulnerabilitetit ndaj një shoku të mundshëm financiar apo të një lloji tjetër, thuhet në njoftimin e Bankës Botërore.
Shqipërisë do t`i mundsohet akses i plotë në këtë program, nga ku do të marrë ekspertizën e nevojshme dhe kapacitetin teknik për forcimin e institucioneve. Programi i Bankës Botërore është i profilizuar për secilin vend, në bazë në nevojave specifike, çka do të thotë se Shqipëria mund të përfitojë në mënyrë të drejtpërdrejtë duke forcuar pikërisht pikat e dobëta.
Veç Shqipërisë, Maqedonia dhe Serbia janë dy vendet e tjera europiane që janë pjesë e këtij programi që në total përfshin 12 shtete.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.