Ndikimi i ndryshimeve klimatike në bujqësinë europiane: Kultivimi i grurit dhe misrit do të ulet me 50%!

Një nga gabimet më serioze që mund të bëhet kur mendohet për ndryshimet klimatike është të besosh se europianët, që jetojmë në një rajon të botës që në fund të fundit është i mbrojtur dhe mbi të gjitha i pasur, do të jemi të imunizuar, të paktën në fillim për dëmin më të madh të shkaktuar nga ngrohja globale – dhe se edhe në afat të gjatë kontinenti ynë do të kursehet nga problemet më serioze. Në rast se ju jeni një nga ata që ushqeni këtë iluzion, publikimi i pjesës së dytë të raportit të gjashtë të IPCC do t’ju bëjë të ktheheni befas në Tokë: Europa është në rrezik po aq sa pjesa tjetër e botës, dhe është në veçanti një sektor qendror për ekonominë kontinentale siç është bujqësia që do të vuajë pasojat shkatërruese të klimës së çmendur që na pret në dekadat e ardhshme.
Duke lexuar dokumentin e publikuar më 28 shkurt nga grupi i dytë i punës rezulton se IPCC identifikon katër Kategoritë kryesore të rrezikut për kontinentin europian. Të katra karakterizohen nga fakti se ato përkeqësohen ndërsa ngrohja globale përkeqësohet: sa më e nxehtë të jetë, aq më afër janë këto rreziqe për t’u bërë të sigurta dhe për të shkaktuar gjithnjë e më shumë dëme.
- rreziqet për shkak të valëve të të nxehtit: nëse temperatura mesatare do të rritet me 3 ° C (dyfishi i objektivit që kemi vendosur), numri i vdekjeve të shkaktuara nga valët e të nxehtit do të dyfishohet. Për më tepër, valët e të nxehtit do të reduktojnë habitatet e përshtatshme për speciet detare dhe madje tokësore dhe do të ndryshojnë në mënyrë të pariparueshme ekosistemet e kontinentit;
- rreziqet e thatësirës, e cila veçanërisht për zonën e Mesdheut do të jetë problemi kryesor që do të përballet në vitet në vijim;
- rreziqet për shkak të përmbytjeve më të shpeshta dhe më intensive, për shkak të ndryshimeve në modelet e reshjeve dhe rritjes së nivelit të detit;
- së fundi, rreziqet për bujqësinë: nxehtësia e kombinuar dhe thatësira do të çojnë, thuhet në raport, në “humbje të konsiderueshme në drejtim të prodhimit bujqësor për shumicën e zonave evropiane”.
Arsyeja pse një klimë e çmendur nuk është e mirë për të korrat është e lehtë të shpjegohet. Nxehtësia e tepërt dhe mungesa e ujit ngadalësojnë (ose edhe bllokojnë) rritjen e bimëve, valët e të nxehtit intensifikuar rrezikojnë të shkatërrojnë vite të tëra, madje edhe modelet më bujare parashikojnë se Europa Jugore do të largohet në dekadat e ardhshme duke hasur në një rritje dramatike të numrit të ditëve në një vit me burime të pamjaftueshme ujore; me një rritje të temperaturës prej 2 ° C, 54% e popullsisë së Europës Jugore do të përjetojë thatësirë, megjithëse jo gjithmonë në forma ekstreme.
Për të mos përmendur që me rritjen e temperaturave, disa kultura do të duhet të braktisen: parashikimet thonë se kultivimi i grurit, misrit dhe panxharit të sheqerit do të ulet me 50% në Europën Jugore. Prandaj, të korrat do të jenë gjithnjë e më të shtrenjta dhe të vështira për t’u mirëmbajtur, me një ulje të sasisë dhe cilësisë së produkteve që vijnë në treg dhe një rritje të njëkohshme të çmimit.
Sipas një raporti të EEA 2019, kjo do të shkaktojë gjithashtu një kolaps të vlerës së tokës, e cila mund të ulet me 80% deri në vitin 2100, duke shkaktuar një braktisje masive të fushave dhe një biznes jo më fitimprurës. Dëshironi një shembull praktik të këtij procesi? Në vitin 2018, për shkak të një kombinimi të valëve të ngricave të dimrit dhe valëve të të nxehtit të verës dhe thatësirave, Italia humbi 57% të prodhimit total të ullirit; një vit më vonë, Spanja humbi 44%.
Deri tani kemi folur për bujqësinë në Europën Jugore, duke injoruar atë veriore. Ka një arsye: një nga efektet anësore të rritjes së temperaturave është se rajonet që ishin shumë të ftohta disa vite më parë për të mbështetur kultura të caktuara mund të fillojnë të kthehen në bujqësi. Për shembull, në Saksoni, ku temperatura mesatare është rritur me rreth 2 ° C në dekadat e fundit, kanë filluar të shfaqen pemishtet e para me pemë pjeshke dhe kajsi; ndërsa në Angli, Danimarkë dhe Suedi ka edhe nga ata që prodhojnë verë. Problemi është se sipas IPCC-së, humbjet në bujqësinë e Europës Jugore nuk do të kompensohen nga përfitimet e Europës Veriore. Prandaj, zgjidhjet, ose të paktën masat zbutëse, duhet të kërkohen diku tjetër. FCS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.