Ndikimi te turizmi – Topuzi: Fushata zgjedhore, “sinjale” pozitive te sektori

Ndryshimi i mënyrës së trajtimit të fushatës elektorale, ku rrugët dhe sheshet nuk janë mbushur si më parë me flamuj apo postera kandidatësh, po shihet pozitivisht nga bizneset që merren me turizëm.
Presidenti i Shoqatës së Hotelierëve, Zak Topuzi u shpreh për TV SCAN, se ky sektor nuk po ndjen efekte negative nga fushata zgjedhore, pasi dhe mediat vendase dhe të huaja kanë transmetuar sinjale pozitive dhe gjendje të qetë në vend.
“Deri tani nuk ka ndonjë ndikim negativ. Në parim, është edhe nga konfirmimet e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kanë shprehur kënaqësi nga turet e deritanishme. Problem është përgatitja e strukturave vendore, të cilat janë akoma mbrapa. Vetëm në Shqipëri diskutohet sezon, kurse e gjithë Europa punon 365 ditë”.
Sipas Topuzit tashmë strukturat hoteliere janë përgatitur për të pasur një sezon të mbare turistik, ku ndikim ka patur dhe miratimi i ligjit ku përfshihet kategorizimi i tyre.
“Strukturat akomoduese sivjet janë më të përgatitura për vetë faktin që u hartua një ligj për kategorizimin dhe vlerësimin e hoteleve me yje, dhe ata u parapërgatitën për të pritur grupet e inspektimit”.
Të vetmen problematike, Topuzi sheh mosangazhimin sa duhet të pushtetit vendor për këtë sezon, sidomos me pastrimin apo infrastrukturën rrugore.
Violeta Shqalsi/SCAN
Turizmi që nuk e kemi parë ende… (SCAN MAGAZINE)
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.