Ndryshime në shifrat e tregtisë së jashtme/ Çfarë ndodhi me eksportet dhe importet e mallrave në tetor

Në Tetor 2021 eksportet e mallrave arritën vlerën 34 mld lekë, duke u rritur me 26,3 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 2,5 %, në krahasim me Shtator 2021. Referuar publikimit të Instat, importet e mallrave arritën vlerën 77 mld lekë, duke u rritur me 29,2 %, në krahasim me një vit më parë dhe me 11,2 %, në krahasim me Shtator 2021. Defiçiti tregtar i këtij muaji është 43 mld lekë, duke u rritur me 31,6 %, krahasuar me Tetor 2020 dhe me 19,1 %, në krahasim me Shtator 2021.
Shifrat e 10 mujorit
Në këtë dhjetëmujor eksportet e mallrave arritën vlerën 300 mld lekë, duke u rritur me 35,2 %, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 632 mld lekë, duke u rritur me 29,5 %, krahasuar me një vit më parë. Defiçiti tregtar arriti vlerën 333 mld lekë, duke u rritur me 24,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020.
Ajo që duhet evidentuar është se gjatë vitit të kaluar, shkëmbimet tregtare u kufizuan si pasojë e rregullave parandaluese të pandemisë.
Mallrat që ndikuan pozitivisht dhe ato që ndikuan negativisht
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të eksporteve:
Gjatë muajit Tetor 2021, në rritjen e eksporteve prej 26,3 %, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Materiale ndërtimi dhe metale” me +14,3 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +8,0 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,6 pikë përqindje. Ndërsa grupet që kanë ndikuar negativisht janë: “Ushqime, pije, duhan” me -0,8 pikë përqindje dhe “Tekstile dhe këpucë” me -0,1 pikë përqindje.
Kontributi i grupeve kryesore në ndryshimin vjetor të importeve:
Gjatë muajit Tetor 2021, në rritjen e importeve prej 29,2 %, krahasuar me Tetor 2020, kanë ndikuar pozitivisht grupet: “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me +11,0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +8,1 pikë përqindje dhe “ Produkte kimike dhe plastike” me +3,4 pikë përqindje.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.