Ndryshimet e klimës: Pse studiuesit parashikojnë se shpejt kjo bimë mund të përbëjë ushqimin e së ardhmes?

Klima po ndryshon. Toka po bëhet gjithnjë e më shumë e populluar, me një popullsi globale që kalon 9 miliardë e gjysëm qënie njerëzore brenda vitit 2050. Ndaj edhe ushqyerja është e destinuar të ndryshojë. Flitet shpesh për ushqime ekzotike si insektet, por një nga ushqimet më premtuese të së ardhmes është goxha i përhapur në tavolinat e vendeve perëndimore: fiku i Indisë ose fiku indian. Është një kaktus me origjinë meksikane që kultivohet prej shekujsh në vendet e Mesdheut e për arsye të eficencës hidrike, rezistencës ndaj ndotjes atmosferike e vlerave ushqimore mund të paraqesë një burim të jashtëzakonshëm në shumë zona gjysëm shkretërira të planetit. E duke parë edhe ndryshimet klimaterike të viteve të fundit, rrezikon të kthehet gjithnjë e më shumë në një ushqim të zakonshëm në pjatat tona.
Këtë tezë e mbështet një studim i realizuar nga FAO dhe nga agjencia “Icarda”, që nxjerr në pah rëndësinë e jashtëzakonshme- në pjesën më të madhe të paeksploruar- që mund të përfshijë “fikun e Indisë” në “shportën” ushqimore.
“Fiku i Indisë është një bimë që ka rendiment të jashtëzakonshëm në zona të thata” shpjegon Paolo Inglese, profesor i Kultivimit të Pemave në Univefrsitetin e Palermos që ka koordinuar volumin e prezantuar nfa FAO.
Edhe pse në shumicën e vendeve ku konsumohet, fiku i Indisë është sinonim i frutave të tij por në zonën e origjinës në Meksikë konsumohet edhe si perime. Eksperti italian vë në dukje se në vendin e origjinës, përmes fletëve të njoma të tij përgatiten sallata, supë e omleta duke siguruar veti ushqyese optimale, të ngjashme me ato të fasuleve, raporton “La Repubblica”.
Një aftësi tjetër mahnitëse është edhe fakti se kjo bimë arrin të thithë sasi të mëdha dioksidi karboni. Kjo bimë është e aftë që të eleminojë nga atmosfera rreth 5 ton dioksid karboni për hektar të kultivuar, duke mbajtur në këtë drejtim një nga vlerat më të larta në mesin e specieve bimore të njohura.
Në një botë që rrezikon të bëhet gjithnjë e me e zbehtë dhe e ndotur për shkak të ndryshimeve klimatike dhe konsumit të lëndëve djegëse fosile, këto karakteristika mund të bëjnë këtë kulturë thelbësore për shumë zona të globit. E në skenarët me optimistë, një produkt i tillë mund të shërbejë për të shuar urinë e rreth 1 miliardë njerëzve që jetojnë në zona të thata dhe në vendet në zhvillim. Dhe duke parë skenarët më të këqinj ku ndryshimet në fjalë mund të godasin dhe Europën dhe pellgun e Mesdheut, përdorimi i kësaj bime me gjëmba mund të jetë i rëndësishëm edhe për rajonin tonë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.