Ndryshimet në Inspektoratin Qendror – Pas reformës në organizim jepen 6.7 mln euro për ndryshimin e godinës
Pas prezantimit të ndryshimeve të skemës së inspektorateve përmes një pakete ligjore nga Inspektorati Qendror, ky i fundit po mendon edhe për ndryshimin dhe funksionimin e godinës aktuale. Ky ndryshim ka një vlerë financiare në 6.7 milionë euro.
Ndërkohë që ky financim justifikohet nga IQ se pavarësisht kostos në dukje të lartë si investim fillestar, për një objekt shtetëror multifunksional, kursimet që do t’i vinin buxhetit të shtetit, e mbulojnë shpenzimin vetëm në pak vite.
Vendosja e të gjitha Inspektorateve Shtetërore në këtë objekt, krahas kostove të qirasë, ujit, energjisë e shërbimeve mendohet se i sjell edhe përfitime afatmesme e afatgjata optimizimit e normimit të inspektimeve për të gjithë vendin.
Financimi ka lidhje me realizimin e reformës që do të ndërmarrë ky institucion, e cila do të synojë reduktimin e numrit të trupave inspektuese përmes bashkimeve dhe shkrirjeve të tyre sipas parimit “Një Inspektorat për një Ministri”.
Kështu më 23 gusht ku institucion prite që të shpall fituesin e tenderit për “Blerje e projektit për godinën e re të Inspektoratit Qendror”, në vlerën e 8.7 milionë lekëve pa TVSH.
Aktualisht, Inspektorati Qendror si Institucioni bërthamë i mbikëqyrjes dhe udhëheqjes metodologjike ka aktualisht një strukturë të miratuar prej 25 punonjësish, strukturë kjo që pritet të zgjerohet me ndryshimet që do të bëhen.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.