Ndryshimet në Kodin Penal – 10 vjet burg për vrasjen në gjendje të dehur dhe kur shkel semaforin
Deputeti i Partisë Socialistë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka depozituar në Kuvend një projektligj për disa ndryshime në Kodin Penal. Krahas keqtrajtimit të kafshëve dhe trafikimit të lëndëve narkotike, shtesat e propozuar prekin gjerësisht edhe sigurinë rrugore.
Vrasjes nga pakujdesia do t’i shtohet edhe një nen që ka të bëjë posaçërisht me vrasjen e kryer në rrugë. Nëse ligji deri më tani parashikon masën gjobë ose burgim deri në pesë vjet, propozohet që në kushte të caktuara dënimi të arrijë deri në 10 vjet heqje lirie.
Për vrasjen e kryer nga pakujdesia në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dënimi minimal është 2 vjet burg, ndërsa ai maksimal 7 vjet burg.
Nëse drejtuesi është në gjendje të dehur ose nën efektin e substancave narkotike, dënimi minimal bëhet 8 vjet burg deri në 10 vjet burg.
Nëse vrasja është kryer për shkak se drejtuesi qarkullonte me dyfishin e shpejtësisë, shkel semaforin, qarkullimin me sens të kundërt apo kryen manovra në kryqëzime, kthesa, apo në vijë të pandërprerë pranë kalimit të këmbësorëve, dënimi do të jetë nga 5 deri në 10 vjet burg. Për këto raste, dënimi rritet me 1/3 nëse drejtuesi nuk është i pajisur me leje drejtimi.
Nëse fajtor në aksident është edhe viktima, atëherë dënimi i parashikuar reduktohet deri në gjysmë. Ndërsa në rastet kur shkaktohet vdekja e më shumë se një personi dënimi rritet deri në tre herë, maksimalisht në 18 vjet burgim.
Në rast se drejtuesi largohet nga vendi i ngjarjes, atëherë dënimi rritet me 1/3 deri në 2/3 e masës.
Projektligji parashikon rritjen e dënimeve edhe në rast kur aksidenti shkakton vetëm plagosje të rënda. Plagosja në shkelje të rregullave të qarkullimit dënohet me 3 muaj deri në vjet burg, ndërsa nëse drejtuesi është nën efektin e substancave, atëherë dënimi minimal bëhet 4 vjet burg, deri në 7 vjet heqje lirie.
Rritja e masës së dënimit për aksidentet rrugore, kombinuar me aksionin për heqjen e tabelave të jashtëligjshme nga akset kombëtare, synon të rrisë sigurinë rrugore në vend dhe të ulë numrin e aksidenteve.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.