Ndryshimet për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve – Javën e ardhshme shqyrtohet Kuvend

Projektligji i Këshillit të Ministrave për disa ndryshime në dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë do të kalojnë në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.
I propozuar nga qeveria vetëm më datë 29 Gusht, amendamentet do të dorëzohen në komisionin për Ekonominë dhe Financat brenda datës 7 shtator dhe do të diskutohen në datat 10 dhe 11 shtator. Ndërkohë shqyrtimi dhe votimi do të përfshihet në seancën plenare të ardhshme të datës 13 Shtator.
Ndryshimet në ligj parashikojnë se fondi i dëmshpërblimit do të ndahet në mënyrë proporcionale për të gjithë përfituesit, me kushtin që kësti mos të jetë më i madh se 1 milion lekë të reja. Ndërsa për individët që kanë për të marrë një dëmshpërblim nën 1 milionë lekë të reja, pagesa e tyre të kryhet me një këst të vetëm, pavarësisht fazës.
Ndërkohë, një tjetër ndryshim përcakton se kur e drejta e përfitimit përfundon me mbylljen e rrethit të familjarëve që nuk jetojnë, pjesa takuese e tyre kalon në buxhetin e shtetit. Pra, sipas projektligjit, do të përfitojnë vetëm familjarët e ngushtë dhe pasardhësit direktë: bashkëshortja, fëmijët, vëllezërit dhe motrat.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.