Ndryshojnë pagat nga 1 Prilli, kush përfiton? – 135 mijë të punësuar, shtesë në pagë deri në 2 mijë lekë!

Për 135 mijë të punësuar, pagat nga 1 Prilli e në vazhdim do të jenë të më larta, për shkak se ka hyrë në fuqi vendimi për reduktimin e tatimit që paguajnë aktualisht. Nga ligji për “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili k nisur të shtrijë efektet nga muaji Prill, përfitues do të jenë disa kategori. Kështu individët të cilët kanë një pagë mujore nga 30-40 mijë lekë, do të marrin mesatarisht 650 lekë më shumë në muaj.
Në total llogaritët të jenë 71.500 të punësuar që trajtohen me këtë nivel pagash. Ndërkaq, të punësuarit më paga nga 40-50 mijë lekë, do të kenë një shtesë mesatare prej 975 lekësh në muaj, për shkak të normës tatimore të përgjysmuar. Në këtë fashë përfitojnë 58 mijë individë. Ndërsa 5900 punonjës që i përkasin fashës 150 mijë- 200 mijë lekë në muaj do të kenë një shtesë mesatare prej 1916 lekë në muaj. Sipas ndryshimeve ligjore tashmë në fuqi, tatimi që do të aplikohet mbi pagat është 0-40 mijë lekë 0 tatim, 40-50 mijë lekë 6.5% mbi shumë 30 mijë lekë dhe mbi 200 mijë lekë 23 %.
Jashtë objektit të këtij ligji, mbetet shtresa e mesme e popullsisë. Sipas ligjit, individët që paguhen mbi 50 mijë lekë në muaj deri në 150 mijë lekë nuk do të kenë asnjë përfitim në raport me pagat e tyre. Tatimi për këtë kategori do të jetë i njëjtë, duke u llogaritur zero deri në 30 mijë lekë dhe 13% e shumës mbi 30 000 lekë. Formulë e cila zbatohet aktualisht. Kjo do të thotë se iniciativa e financave mbështet më së shumti shtresën e paguar më pak dhe deri diku fashën e të mirëpaguarve. Nga aplikimi i këtyre ndryshimeve ligjore rezulton me një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej -1.37 miliardë lekë në vit.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.