Ndryshojnë rregullat për tenderët – Rritet kufiri për vlerat e vogla, mallrat deri në 100 mijë lekë, pa tender

Të gjithë institucionet nuk do të kryejnë më procedura të prokurimit publik për plotësimin e nevojave për mallra dhe shërbime, që kanë vlerë deri në 100 mijë lekë. Ky është një prej ndryshimeve, që parashikon një vendim qeverie i miratuar në datën 29 dhjetor në lidhje me rregullat për procedurat e prokurimit publik.
Referuar ndryshimeve, autoritetet kontraktore do të procedojnë direkt me blerjen e mallit dhe shërbimit, kundrejt faturës. Gjithsesi, planifikimi i tyre duhet të pasqyrohet në Regjistrin e parashikimeve të procedurave të prokurimit publik, me qëllim përpunimin e të dhënave dhe statistikave lidhur me këtë kategori.
Një tjetër ndryshim lidhet edhe me kufirin minimal të procedurave të prokurimit me vlera të vogla. Tashmë, kjo procedurë do të përdoret duke filluar nga 100.000 lekë deri në 800.000 lekë, si dhe është shtuar mundësia e autoritetit kontraktor që në rast tërheqjeje të ofertuesve, të kalojë deri tek 10 ofertuesit e parë, sipas renditjes.
Ndërkaq, me qëllim lehtësimin e biznesit, i është dhënë mundësia operatorëve ekonomikë të paraqesin një vetëdeklaratë me shkrim për përmbushjen e kritereve të përgjithshme ligjore të parashikuara në ligj si dhe është parashikuar ulja e vlerës së xhiros vjetore të kërkuar për 3 vitet e fundit.
Një tjetër ndryshim ka të bëjë edhe me shfuqizimin e parashikimit për përdorimin e procedurës së prokurimit “Negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, për lidhjen e kontratave shtesë për plotësimin e nevojave të fillim vitit nga autoritetet kontraktore.
Nga ana tjetër, për plotësimin e nevojave në fillim të vitit, është lënë mundësia e zgjatjes së kontratës fillestare vetëm për plotësimin e nevojave të fillim vitit deri në vlerën 20% të saj.
Paralelisht me këto ndryshime, është shtuar detyrimi i autoritetit kontraktor për të raportuar mbi ecurinë e zbatimit të kontratës në Agjencinë e Prokurimit Publik, nëpërmjet personit përgjegjës për prokurimin.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.