Ndryshon ligji për borxhin dhe garancitë sovrane – Si do të bllokohen llogaritë e bizneseve kur nuk paguajnë detyrimet

Qeveria është përballur me problematika dhe vështirësi të shumta në aplikimin e dy garancive sovrane për t’i ardhur në ndihmë bizneseve gjatë pandemisë COVID19, gjë që ka nxitur ndryshime në legjislacion me qëllim mirëmenazhimin e këtyre skemave. Ministria e Financave ka hedhur për konsultim projektligjin për “Huamarrjen shtetërore, boxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë”, ku sipas ndryshimeve të bëra në ligjin ekzistues, Agjencisë së Trajtimit të Kredive-së, institucion nën varësinë e ministrisë së Financave, i kalojnë funksionet për menaxhimin e skemave të Garancive Sovrane, të lëshuara për ti ardhur në ndihmë biznesit në situatën e Covid 19, apo çdo skemë të ngjashme që mund të jetë e nevojshme në të ardhmen të miratohet.
Ndërkohë në ligj janë bërë edhe disa ndërhyrje të tjera në funksion të veprimtarisë së huamarrjes shtetërore dhe të menaxhimit të borxhit shtetëror. Kështu, Agjencisë së Trajtimit të Kredive i kalon edhe funksioni i rikuperimit të të drejtave të Ministrisë së Financave referuar edhe Garancive Shtetërore apo Marrëveshjeve të Nënhuave nga të cilat përfitojnë subjekte publike apo ndërmarrje shtetërore siç janë operatorët e energjisë, ujësjellësit etj., pra duke mundësuar rikuperimin e të drejtave edhe përtej skemave të veçanta të garancive, duke qenë se ATK gëzon ekspertizën e nevojshme për ta bërë këtë.
Ndryshimet kanë saktësuar edhe procedurat që duhen ndjekur në rastet kur një subjekt ka përfituar kredi përmes garancisë sovrane dhe nuk e shlyen atë. Në këtë rast, detyrimi për të paguar i kalon Ministrisë së Financave, pagesë e cila kryhet përpara përpara dhe pavarësisht rezultatit të verifikimit të aftësisë paguese të huamarrësve. Pas kryerjes së pagesës, në rast se nga verifikimi i aftësisë paguese të huamarrësve rezulton se ka mundësi pagese, Ministria përgjegjëse për financat, me Urdhër kërkon bllokimin e llogarive dhe sekuestrimin e kundravleftës që ajo ka paguar. Në këto raste aplikohen edhe masa administrative ndaj subjekteve.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.