Ndryshon ligji për pensionet private – Drafti për konsultim publik: Ulje taksash për personat që bëhen pjesë e fondeve private

Ndërsa skemat e pensioneve private mbeten ende në nivele modeste, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur një seri ndryshimesh ligjore të cilat synojnë nxitjen e qytetarëve t’I drejtohen këtyre fondeve, por edhe lehtësi fiskale për të tërhequr interesin e tyre. Projektligji tashmë është në fazën e konsultimit public, dhe parashikon përmirësime në të gjithë elementët e funksionimit të tyre.
Garantimi i sigurisë së aseteve të fondit përmes kërkesave më strikte lidhur me forcimin e funksionit të administrimit të rrezikut si dhe kërkesave për ruajtjen dhe veҫimin e aseteve të fondit, është një prej synimeve kryesore të projektligjit, ashtu si dhe diversifikimi i portofolit nëpërmjet rishikimit të politikës së investimeve.
Disa nene të draftit parashikojnë rritjen e kërkesave për transparencë dhe sigurimin e informacionit për anëtarët e fondit.
Po ashtu, qëllim në vetvete është nxitja e pjesëmarrjes në skemë nëpërmjet rishikimit të politikës tatimore me synim krijimin e lehtësirave fiskale për anëtarët dhe përfituesit e fondit.
Synohet gjithashtu, nxitja e qëndrueshmërisë dhe mirëqeverisjes së shoqërive administruese të fondit të pensionit duke parashikuar rregulla të reja mbi qeverisjen, si krijimin e strukturave të kontrollit të brendshëm, përputhshmërisë, administrimit të rrezikut, vetvlerësimit të rrezikut të shoqërisë sipas evropiane; si dhe rregullimi i veprimtarisë ndërkufitare të shoqërive administruese, duke parashikuar themelimin e degës ose ushtrimin e veprimtarisë drejtpërsëdrejti nga vendi i origjinës nëpërmjet njohjes nga ana e Autoritetit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.