Ndryshon përsëri buxheti, rriten shpenzimet – Denaj: 20 milionë dollarë për vaksinat e dronët, 9 milionë dollarë për Teatrin e Ri

Ndërsa nuk ka kaluar ende gjysma e parë e vitit, Kuvendi po miraton ndryshimin e katërt në buxhetin e shtetit. Komisioni Parlamentar I Ligjeve sapo ka miratuar Aktin Normativ të Qeverisë për një rritje të konsiderueshme të shpenzimeve për një total prej 11.8 miliardë lekësh, afërisht 110 milionë dollarë. Nevoja për ndërhyrje në buxhet është parashtruar përpara deputetëve të Komisionit nga Ministrja e Financave Anila Denaj, sipas së cilës, rritja e shpenzimeve lidhet me projektin e vaksinimit të popullsisë si dhe disa projekte të rëndësishme të Qeverisë. Më specifikisht, rreth 10 milionë dollarë do të shkojnë për blerjen e vaksinave, rreth 9 milionë dollarë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, rreth 10 milionë dollarë për blerjen e dronëve që do të përdoren për mbikqyrjen e territorit, rreth 4.8 milionë dollarë për përfundimin e punimeve në unazën e re e sheshin shqiponja, bashkë me disa projekte të tjera ujësjellësish e rrugësh.
Sipas Ministrisë së Financave, shtesa e shpenzimeve është bërë e mundur nga rritja përtej pritshmërive e të ardhurave nga Tatimet e Doganave, në një kohë që goditja e shkaktuar në ekonomi nga Pandemia ka qenë më e lehtë nga parashikimet fillestare.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.