Ndryshon qasja ndaj dozave nxitëse – CDC: Të gjithë amerikanët 18 vjeç e sipër duhet të marrin vaksinën
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara, bëri të ditur se të gjithë në moshë 18-vjeç e sipër duhet të marrin një dozë nxitëse, ndërkohë që vendi përpiqet të frenojë variantin më ngjitës të koronavirusit, që po përhapet shpejtë në botë. Ky vendim vjen ndërkohë që presidenti Joe Biden bëri thirrje në nisje të javës për vaksinim më të gjerë për të luftuar variantin Omicron, që është zbuluar fillimisht në Afrikën e Jugut.
Rregullatorët e shëndetësisë në SHBA, zgjeruan javën e kaluar përshtatshmërinë e dozave nxitëse për vaksinat e Covid-19 tek të gjithë të rriturit në moshë 18-vjeç e sipër,6 muaj pas vaksinimit fillstar me Pfizer apo Moderna, dhe 2 muaj pas vaksinimit me Johnson & Johnson. Megjithatë, CDC u përmbajt për dozat nxitëse tek 18-49vjeçarët. Shefja e agjencisë, Rochelle Walensky, tha se po merret një qasje më e kujdesshme ndërkohë që shfaqja e Omicron thekson mëtej rëndësinë e vaksinimit dhe dozave nxitëse.
Paralelisht, Wall Street journal raportoi se Adminsitrata e Barnave dhe Ushqimeve mund të miratojë doza nxitëse për 16 dhe 17-vjeçarët në javën e ardhshme. Omicron, që sipas Organizatës Botërore të shëndetësisë mbart një rrezik shumë të lartë për nxitjen e rasteve, është konfirmuar tashmë në shumë shtete përfshirë Gjermaninë, Hong Kongun dhe Kanadanë. Shkencëtarët në SHBA dhe në të gjithë botën po vlerësojnë me urgjencë efektshmërinë e vaksianve kundër variantit të ri.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.