Ndryshon rendi i ditës/Çfarë do të diskutohet e votohet në seancën e 4 korrikut
Janë akoma edhe 3 seanca plenare për muajin korrik ku parlamenti do të diskutojë për çështje të caktuara, të ndara sipas datave përkatëse por nëse analizojmë kalendarin e punimeve dhe rendin e ditës së enjte të kësaj jave ( 4 korrik) ka pasur ndryshime në rendin e ditës.
Në rendin e ditës së seancës së 4 korrikut parashikohet të votohet dekreti i Presidentit të Republikës, “Për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit, “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat. Po ashtu, do të diskutohet e votohet për projektligjet përkatëse përfshirë: Projektin për bashkëpunimin financiar të vendit tonë me Republikën Federale të Gjermanisë në kuadër të “Programit sektorial të ujërave/furnizimi me ujë i zonave rurale IV” gjithashtu dhe projektligjin për ndryshime të ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Ajo që bie në sy në rendin e ditës së seancës së 4 korrikut është se janë hequr disa projektligje qw ishin parashikuar në kalendar për votim. Në listën e projektligjeve të hequra nga rendi i ditës janë edhe dy kontratat PPP për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Orikum-Llogara si dhe kontrata për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot-Balldren.
Nebi Xhomaqi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.