Në 5 muaj hapen 9322 biznese – Shifrat e QKB, Janar-Maj, mbyllen 3300 subjekte
Në 5 muajt e parë të vitit, pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit janë regjistruar në total 9322 biznese të reja. Sipas të dhënave të siguruara nga TV SCAN, numri më i lartë i regjistrimeve është shënuar në muajin Janar me 2394 sipërmarrje, dhe numri më i ulët në muajin Prill me 1578 biznese.
Shumica prej tyre janë biznese me pronësi 100 për qind shqiptare, ndërsa 626 prej tyre janë në pronësi 100 për qind të huaja dhe 140 janë në pronësi të përbashkët (shqiptare- të huaja).
Sa i përket formës ligjore të regjistrimit, dominon ajo si person fizik dhe shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.
Nga ana tjetër sa i takon ç‘regjistrimeve për të njëjtën periudhë, shifrat tregojnë se janë mbyllur 3300 biznese në total, me shifra mesatarisht të njëjta për çdo muaj, ku numri më i lartë i përket muajit Janar me 721 subjekte dhe numri më i ulët në muajin Prill me 545 biznese.
Po ashtu, edhe në rastin e mbylljeve të bizneseve, janë personat fizikë dhe shoqëritë me përgjegjësi të kufizuara ato që dominojnë. Gjatë vitit 2017, u mbyllën rreth 5 mijë biznese dhe u regjistruar 19 mijë.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se vitin e kaluar më Shqipëri vepronin162 mijë biznese, rreth 1600 më shumë krahasuar me vitin 2016.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.