Në 5 vite, pyjet “tkurren” me 396 ha – Shpyllëzimi i pandalshëm, 2021 shifra edhe më alarmante
Vendi ynë ka hyrë në një cikël të rrezikshëm shpyllëzimi vit pas viti, ku vetëm gjatë 2020-ës, sipërfaqja e fondit pyjor dhe kullosor, si rezultat i dukurive natyrore dhe aktiviteteve njerëzore, ka një rënie me rreth 2,2 ha krahasuar me vitin 2019.
Të dhënat e publikuara së fundmi nga INSTAT vendosin përpara përgjegjësisë edhe qeverinë për marrjen e masave paraprake për ruajtjen e pyjeve. Nga viti 2016 deri në vitin 2020, sipërfaqja pyjore është tkurrur me 396 hektarë, dërsa sipërfaqja e kullotave me 107 hektarë.
Ndërkohë që statsitikat e vitit 2021 pritet të jenë edhe më të rënda, duke marrë parasysh zjarret masive të ndodhura gjatë periudhës së verës për shkak të temperaturave të larta. Kreu i emergjencave civile, në fund të muajit Gusht, ka një përmbledhje të situatës së shkaktuar nga zjarret, duke raportuar se janë djegur rreth 33 mijë hektarë kullota e shkurre, si dhe 14 mijë rrënjë ullinj e pemëtari.
Zjarret u shtrinë gjatë muajit gusht në disa pjesë të territorit, ku më problematiket ishin në Gadishullin e Karaburunit, në Parkun e Llogorasë, apo pranë tunelit të Thirrës.
Elisabeta Dosku/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.